Muzeu Etnografik
Muzeu Etnografik është vendosur në një banesë tradicionale, e ndërtuar në mesin e shekullit XVIII, në vitin 1764, nga familja Toptani.
Arkitektura e saj është e stilit oriental, me korridor të mbyllur, tip kullë dykatëshe, me mure guri me trashësi 60–80 cm.
Në të gjenden piktura murale të stilit barok dhe oriental, të cilat zbukurojnë dhomat kryesore të banesës.
Që në hyrje bien në sy harqet e portave me gurë të gdhendur dhe rrugicat e shtruara me kalldrëm.
Në këtë banesë gjenden shumë elemente të traditës së zonës, që lidhen me mënyrën e jetesës, veshjen, zakonet dhe zejet.
Në hyrje ndodhen disa modele burimesh natyrore të ujit, të cilat dëshmojnë se Kruja ka pasur shumë kroje. Madje, mendohet se edhe prejardhja e emrit të qytetit lidhet me fjalën kroj, nga e cila rrjedh emri Krujë.
Në hollin e katit të parë janë ekspozuar veglat tradicionale të bujkut për punimin e tokës, mekanizmat e bluarjes së drithit me dorë dhe me ujë, si edhe mjetet për pastrimin e grurit dhe përgatitjen e hasudes, ndër të tjera.
Një nga zejet e paraqitura është regjja, ose përpunimi i lëkurës, së bashku me proceset që ajo kalon deri në prodhimin e këpucëve.
Gjithashtu, në ambientet e banesës paraqitet përpunimi i kashtës së kënetës dhe prodhimi i hasrave, të përdorur për t'u ulur ose për të fjetur.
Në punishtet e katit të parë do të shikoni farkën, ku punohej hekuri për nevojat e familjes dhe të tregut të Krujës, si edhe punishten e qeramikës, ku prodhoheshin tjegulla, tulla dhe enë të përdorimit shtëpiak.
Në një punishte tjetër do të shikoni distilerinë, ku prodhoheshin rakia dhe vera.
Në një punishte tjetër ndodhet mulliri me ujë, i përdorur për bluarjen e drithit, valavica, që përdorej për prodhimin e shajakut ose stofit të leshit, si edhe përpunimi i leshit të deles për prodhimin e veshjeve prej leshi.
Në punishten e fundit ndodhet mulliri i vajit të ullirit dhe shumë amfora ose magje, të përdorura për ruajtjen e vajit të ullirit për një kohë të gjatë.
Në katin e dytë të banesës vizita fillon me dhomën e grave, ose të nuses, ku dallohen arkat në të cilat nusja sillte pajën e saj. Ato janë origjinale, ashtu si edhe pikturat murale të shekullit XVIII dhe dy llojet e veçanta të dritareve prej druri, të cilat në pjesën e sipërme kanë punime gipsi për ndriçim, ndërsa në pjesën e poshtme shërbejnë për ajrosje.
Koridori shërben si lidhje ndërmjet dhomave. Aty do të shikoni edhe veshjet tradicionale të dasmës për dhëndrin dhe nusen, të punuara me mëndafsh, të qëndisura me ar dhe argjend, si edhe të zbukuruara me perla lumi.
Një veçanti e banesës është se të gjitha dyert janë të ulëta, duke e detyruar vizitorin të ulë kokën në shenjë respekti sa herë hyn ose del nga një dhomë.
Oda e burrave, më e bukura dhe më interesantja e banesës, ruhet plotësisht në gjendjen origjinale të shekullit XVIII.
Brenda saj do të shikoni tavanin e punuar me mjeshtëri, armët e ekspozuara në mure dhe oxhakun. Në dhomën e familjes do të shikoni një tavan në formë kupole, të mbuluar me xham, si edhe vrimat në mure, nga të cilat dilte avulli.
Në dhomën e ndenjjes ndodhet pjesa e ballkonit të brendshëm, ku qëndronin fëmijët, që të mos uleshin për të ngrënë së bashku me të rriturit. Aty ndodhet gjithashtu oxhaku, i cili ngrohte dhomën dhe njëkohësisht siguronte ujë të ngrohtë për hamamin, si edhe veglat e përdorura për punimin e qilimave.
Kuzhina ka një oxhak origjinal, të tipit aspirator, si edhe enë të ndryshme prej qeramike, bakri dhe druri.
Gjithashtu, kuzhina përdorej edhe si dhomë fjetjeje për më të moshuarit e familjes.
Në dalje do të shikoni veglat e marangozit dhe rozetat e tavanit, mbi 300-vjeçare.
Po ashtu do të vizitoni qilarin, dhomën ku ruheshin frutat dhe perimet për stinën e dimrit.
Në dhomën e madhe të gjumit janë ekspozuar veshje tradicionale katolike dhe myslimane, të përdorura në qytetin e Krujës ose të sjella nga banorë të krahinave të tjera.